Revista Psikostil

“Psikologu” special i Aurelës!

Nga Gentian Minga

Në qendrën estetike të pajisur me një palestër moderne, punonjëset vënë buzën në gaz kur u përmend Aurelën. Janë të kënaqura që një emër kaq i madh viziton çdo ditë ambientet e tyre. Ndërkohë i kanë njoftuar për ne, po na prisnin. Zbresim poshtë disa shkallëve të gjata dhe tingujt e muzikës sa vijnë e bëhen më të fortë. Teksa “hetoj” rreth e rrotull, sytë shohin vetëm trupa të bukur dhe të tonifikuar. Më kapin ndjenja faji. Pse ta mohoj, edhe zilie. Dikush me ca kile më tepër do të më ngushëllonte në këto momente, por mesa duket paska qenë e shkruar të ndërgjegjësohem pikërisht sot dhe këtu për një trup më të shëndetshëm. Në një kënd dallojmë Aurelën. Po bën pompa. Aq shumë dhe aq bukur, sa disa prej djemëve që unë njoh, do t`i turpëronte. E veshur sport, me djersët që kullojnë mbi tapetin blu dhe flokët e shkurtër më ngjason me Demi Moore në “Soldier Jane”. Ajo që më ka mahnitur nga ai film ishte këmbëngulja dhe vullneti i Jane-it për t`i rezistuar deri në fund ushtrimeve fizike. Kjo është e gjitha. Vullneti. Meqë nuk ma ka mbajtur asnjëherë të shkoj në palestër për këtë arsye, jam kureshtar të di si ia bën Aurela. “Kam gjashtë vjet që e frekuentoj palestrën, por jo gjithmonë kam qenë e rregullt. Vija dy muaj, pastaj e lija gjashtë të tjerë” - qesh.

 


 Diçka ndodhi që ndryshoi qëndrim dhe e bindi që të mos i braktisë kurrë më ushtrimet. Rrëfen se erdhi një moment kur iu duk se më kot kishte derdhur tërë atë djersë. “Isha në formë të mirë, por kur vesha një herë një palë pantallona, vura re se më “tepronte” pak bark. U zotova se nuk do merrja më mungesa në palestër” – e ka mbajtur fjalën dhe tani ndihet rehat me ato pantallona. Ndonëse është kalimthi në Tiranë, e vazhdon ritualin e ushtrimeve fizike. Po ashtu, kur është në udhëtim dhe i qëllon ta kalojë natën në hotel, aplikon ushtrime të thjeshta në dhomë. Tashmë aktiviteti fizik është bërë pjesë e pandashme e ditës së saj. Për shkak të impenjimeve s`mund të caktojë një orar fiks për ta frekuentuar palestrën, ndaj gjithmonë mban me vete çantën me tutat e atletet. Sapo gjen pak kohë, qoftë dhe gjysëm ore, e shfrytëzon për t`u djersitur mbi tapetin blu. Ky vullnet dhe përpikmëri e ka burimin te dëshira e sinqertë për të mos munguar asnjëherë në takimin me atë që mund ta quajmë një “masazh të shpirtit”. Duhet të jetë një kërkesë e brendshme dhe jo “kurimi” i një kompleksi që sendërtohet nga komentet e vrazhda të të tjerëve rreth peshës sonë. “Njerëzit duhet të bëjnë atë që ndjejnë dhe duan. Motivi që të shtyn të vish përditë në palestër është dëshira dhe kënaqësia që ti merr nga ky zakon” – siç ndodh në të vërtetë me të. Aurela nuk i filloi ushtrimet sepse njerëzit e ngacmonin për kilet e tepërta. Kjo gjë e bezdiste deri në atë pikë saqë nga inati as nuk e kishte çuar në mendje ta provonte palestrën. “Në ato kohë nuk e shihja si problematike peshën, ndihesha mirë me veten. Njerëzit mendojnë se kam qenë shumë më e shëndoshë nga ç`jam tani, kur në të vërtetë, thjesht jam tonifikuar” – dhe thekson se ka humbur gjashtë kilogram, jo ndonjë diferencë e ndjeshme. Diskutimi i peshës mbetet dytësor për Aurelën. Ana estetike është, siç e quan ajo, “qershia mbi tortë”. Vetë “torta” është një recetë me përbërësit më të “shijshëm”: qetësia shpirtërore, shkarkimi i stresit, gjallëria, rezistenca fizike dhe humori i mirë.  

Për më tepër lexoni Revisten Psikostil.

Komente (0)
Shkruaj Koment
Kontatet tuaja:
Koment:
Element Sigurie
Ju lutem shkruani kodin.
Last Updated ( Saturday, 06 February 2010 09:35 )  

Në këtë numër...

Të mësojmë nga fëmijët tanë...

Nga Ma. Aleksandra Citozi

Të jemi më krijues dhe më të vërtetë, më pak egoistë dhe të kemi kontroll...
Nuk ka dyshim: Fëmijët ndonjëherë ndihen të shtypur nga ne.

Të shohësh dritën në fund të tunelit

Nga Msc. Erilda Akazi
Psikologe Këshillimi

Jeta jonë është e mbushur me të papritura, ndodhi të paparashikueshme, ulje dhe ngritje, suksese dhe dështime, mbarime dhe fillime...

Migrena - kur dhimbjet nuk mund të kontrollohen

Nga Dr. Rezarta Reimann
Biologe

Një paciente 37-vjeçare që vuan nga migrena i përshkruan kështu krizat e saj:

"Ardhjen e një krize të re unë e ndjej pak ditë përpara. Më duket sikur çdo gjë rreth e rrotull si dhe brenda meje e tejkalon masën e normales.